Bashkimi i shpirtit sipërmarrës me dashurinë për Shqipërinë, po bën që Doni Fruits, kompania më e madhe e grumbullimit, përpunimit dhe eksportit të fruta-perimeve të bëhet një katalizator i fortë për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë. Kompania me përvojë 60 vjeçare në Kosovë dhe në tregun rajonal, ka nisur tashmë investimin e saj mbi 8 milionë euro për ndërtimin e stabilimentit më të madh në vend.
Pas rreth një viti, Shqipëria do të ketë një nga qendrat më të mëdha në rajon për grumbullimin, ruajtjen, shpërndarjen dhe eksportin e prodhimeve bujqësore. Ndërkohë ‘Doni Fruits’ është tashmë eksportuesi më i madh i prodhimeve Made in Albania.
Burim Ahmeti, bashkëpronarë i Doni Fruits thotë se, “Kjo qendër do të ketë 36 dhoma të mëdha frigoriferike për ruajtjen e frutave, perimeve dhe agrumeve për dy vjet. Prodhimet shqiptare janë të sigurta dhe shumë të vlerësuara në tregjet europiane për shijen e tyre”.
Fatos Mustafa, nxitës i këtij projekti dhe ekspert për zhvillimin e bizneseve thotë se, “përmes këtij investimi pritet të hapen deri 500 vende të reja pune në mënyrë direkte dhe numri i të punësuarve indirekt në të gjithë Shqipërinë do të arrijë deri në 10 mijë veta brenda pesë vitesh”.
Sipas tij, “projekti do të nxisë prodhimin vendas, eksportet e produkteve shqiptare made in Albania dhe do të ulë importin”. Ndaj ai apelon që të gjithë shqiptarët, “të mos ikin nga tokat e tyre, por të fokusohen në investime të cilësisë së parë në bujqësi dhe mbështetja nuk do t’u mungojë. Bujqësia është sektor social masiv që gjeneron vende pune. Për një kohë të shkurtër mund të arrish rezultate të shpejta”.
Pak ditë më parë, punimet u ndoqën nga afër edhe nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi. Ai u shpreh se, “ky investim do të ketë impakt të madh në nxitjen e prodhimit vendas dhe rritjen e eksporteve”.
Në ditët e sotme, kur niveli i emigrimit është i lartë dhe nuk ka zhvillime të dukshme për investime të mëdha të huaja në vend, injektimi i gati 10 milionë eurove në bujqësi nga vetëm një kompani pritet të jetë zhvillim historik për sektorin. Krahas shtimit direkt të vendeve të punës dhe nxitjes së fermerëve për të punuar më shumë sipërfaqe toke, Doni Fruits sjell një standard planifikimi, kultivimi e grumbullimi të produkteve bujqësore.