Çuçi: Certifikimi nga GlobalG.A.P. i fermave garanton cilësinë dhe shitjen e prodhimeve bujqësore
Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, vizitoi në Lushnjë pikën e grumbullimit dhe serrat e Doni Fruits, kompania e parë për eksportet “Made in Albania” në vitin 2018.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë një vizite në Lushnjë vizitoi nga afër një prej pikave të grumbullimit dhe serrave të kompanisë Doni Fruits, e cila për vitin 2018 ishte kompania e parë për eksportet e prodhimeve bujqësore “Made in Albania”, me një volum prej 16 mijë tonësh. Fillimisht ministri u ndal te serra e kultivuar me pjepër, e cila pritet të jetë nga të parat në vend që do të marrë certifikimin GlobalG.A.P.
“Ne do të synojmë që të gjithë prodhuesit bujqësorë shqiptarë të lidhin marrëdhënie me GlobalG.A.P. Kjo do të thotë se, nëse ke certifikim nga GlobalG.A.P., cilësia është 100% e garantuar dhe prodhimi mund të shitet në të gjithë Evropën”, tha ministri Çuçi.
Në vijim, ministri u ndal te pika e grumbullimit, prej nga nisen çdo ditë kamionët me perime drejt Evropës. Domatja vijon të jetë në krye të eksporteve bujqësore: në katër muajt e parë të vitit, eksporti i domates “Made in Albania” u rrit me 96% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Synimi i Doni Fruits për këtë vit është të rrisë eksportet nga 16 në 25 mijë tonë.
“Qeveria i ka vënë një theks të veçantë forcimit të pikave të grumbullimit, sepse ato garantojnë tregun. Duke garantuar shitjen, fermeri mbjell pa asnjë merak, sepse me kontratat që lidh me pikat e grumbullimit nuk i mbetet prodhimi. Grumbulluesi, nga ana tjetër, ka rol shumë të madh në disiplinimin dhe rritjen e cilësisë, sepse duke i siguruar fermerit shitjen, i imponon atij edhe cilësinë”, tha ministri Çuçi.